Hoti për qeveritarët: Vërtetë janë përçudnuar
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se zyrtarët qeveritarë “vërtetë janë përçudnuar”.
Këto komente, Hoti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke komentuar deklaratat e Zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi, dhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Zv.kryeministri Bislimi deklaron se është ulur papunësia kur 200 mijë qytetarë, kryesisht të moshës së punës, janë larguar nga vendi;”, shkroi Hoti në Facebook.
Ai përmendi edhe se si Gërvalla, në vitin e katërt të qeverisjes, “çuditet për tarifat e larta për pajisje me dokumente që lëshohen në konsullata dhe vendos t’i ulë ato”.
“Norma e rritjes ekonomike në Kosovë për 2025 pritet të jetë 3.9%, që është me ndikim minimal në rritjen e standardit të jetës, por zyrtarë të partisë në pushtet krekosen se është më e larta në rajon kur vendi fqinj në veri e ka 3.8%, pra Kosova e ka vetëm 0.1% më të lartë”, shtoi.
Në fund, ish-kryeministri potencoi se lista nuk mbaron me kaq, por kaq për momentin.
Gjatë ditës, Bislimi ka thënë se ka pasur rënie të papunësisë për rreth 1.1 për qind.
Këtë, Bislimi e ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke iu referuar të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
“Në të dhënat më të fundit të publikuara nga ASK-ja, mbi shkallën e papunësisë në tre mujorin e fundit të vitit 2023, konstatohet se ka patur një rënie të mëtejme të papunësisë nga 11.8% në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, në 10.7%”, ka shkruar Bislimi.
Në tri vitet e fundit, ka pretenduar zëvendëskryeministri, “indikatorët ekonomikë kanë njohur përmirësime të konsiderueshme dhe rritje të shpejtë”.
“Më shumë punësim, më shumë zhvillim. Kosova është në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe një të ardhmeje prosperuese”, përfundoi ai.
Ndryshe, njohës të çështjeve ekonomike dhe opozita e kanë kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti në lidhje me politikat e saj ekonomike, posaçërisht sa i përket investimeve kapitale.
Ndërsa, një numër i madh i të rinjve nga Kosova janë duke u larguar nga vendi, kryesisht në vendet perëndimore, për të siguruar kështu një mirëqenie më të mirë.