Hoti, Kurtit pas vizitës në KEK: Kosova s’ka siguri energjetike, s’ka nisur asnjë projekt madhor
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se në vitin e katërt të mandatit të qeverisë Kurti, do të duhej të promovohej termocentrali me gaz, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Këtë reagim Hoti e ka bërë pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në KEK bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Hoti ka thënë se në vend të termocentralit me gaz, Kurti dhe Rizvanolli krenohen me remontin e blloqeve në përgatitje për dimrin që po vjen.
“Në vitin e katërt të mandatit, do të duhej të promovohej termocentrali me gaz. Por, në vend të këtij projekti, Kryeministri e Ministrja e Ekonomisë vizitojnë KEK-un dhe krenohen me remontin e blloqeve në përgatitje për dimrin që po vjen. Kjo është për keqardhje. Pas katër vitesh në pushtet, asnjë projekt madhor nuk ka nisur. Nuk janë kryer as projektet e nisura nga qeveria e kaluar. Premtimi që LV-Guxo u kanë dhënë qytetarëve më 14 shkurt 2021 ka qenë: ‘Furnizim me energji të vazhdueshme dhe të përballueshme’. Ky premtim, sikurse të gjitha premtimet e tjera, është shkelur pasi kapacitetet energjetike nuk janë rritur. Sot, Kosova nuk ka siguri energjetike, pra nuk ka energji të vazhdueshme. Çmimi i energjisë është rritur dy herë në këtë mandat, por jo pagat dhe të ardhurat e tjera, duke e shkelur kështu premtimin për energji të përballueshme”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.