Hoti kritikon qeverinë për ligjin e ri të procedurave tatimore
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë Kurti për Ligjin e ri të procedurave tatimore. Sipas deputetit të LDK-së, sipas ligjit të ri nëse biznesi ka paguar më shumë TVSH në administratën tatimore, nuk mund ta shfrytëzojë atë kreditim tatimor mbi 3 vjet.
“Sapo të kalojë periudha 3-vjeçare ajo shumë e parapagimit tatimor për biznesin është e humbur. Ndërkaq, pagesat e tepërta të tatimit në fitim për periudhën mbi 3-vjeçare nuk mund të rimbursohen e as të transferohen në obligime të tjera tatimore që biznesi ka ndaj shtetit. Ky është rezultati i ‘reformave tatimore’ kur ato bëhen pa debat publik shterues dhe miratohen me procedura të përshpejtuara në Kuvend”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas tij, Qeveria e ardhshme “ka shumë punë për sanimin e dëmeve të shkaktuar me ligje e ndërhyrje kontradiktore kundër biznesit dhe parimeve të ekonomisë së tregut të lirë social”, raporton rtk.