Hoti i quan kontradiktore matjet e Pulsit Publik: Dëshmojnë vetëm propagandën e Qeverisë
Deputeti i LDK’së, Avdullah hoti, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të Pulsit Publik mbi kënaqshmëinë e qytetarëve me punën e institucioneve, ku ka thënë se këto matje janë kontradiktore.
Sipas Hotit, këto rezultate dëshmojnë vetëm se “kjo qeveri është e mirë vetëm në shpërndarjen e propagandës”.
Ai ka renditur premtimet e parealizuara të Qeverisë Kurti, derisa ka pyetur se me çka saktësisht janë të kënaqur qytetarët.
“Niveli i propagandës shkon aq larg sa që qytetarët janë të bindur se kjo qeveri ka dhënë rezultate edhe aty ku nuk ka fare përgjegjësi – uljen e korrupsionit në organizatat ndërkombëtare nga 23.8% në 13.7%. Prandaj këso lloj matjesh nuk kanë asnjë kuptim.
Ja sa kontradiktore janë këto matje: 53.3% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e qeverisë, e po ashtu 53.3% të qytetarëve vlerësojnë se varfëria, papunësia, çmimet e larta dhe shërbimet e dobëta mjekësore janë problemet më të mëdha (varfëria 16.6%, papunësia 16.3%, çmimet e larta 12.7 dhe shërbimet shëndetësore 7.7%, që është gjithsej 53.3%)”, ka shkruar Hoti.
Ndryshe, sipas të dhënave të bëra publike, mesatarisht 50.1 % e njerëzve janë të kënaqur me punën e institucioneve kryesore qendrore të Kosovës.
“Të dhënat tregojnë se mesatarisht 50.1% e njerëzve janë të kënaqur me punën e institucioneve kryesore qendrore të Kosovës”, thuhet në njoftim për media të UNDP.