Hoti i kundërpërgjigjet Pecit: Sfidën s’e keni me mua, por me shifrat që tregojnë se keni dështuar
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, e cili përveç, siç pretendoi ai, me punë, e sfidon edhe me vota në Rahovec.
“Asnjë anëtar i qeverisë, nga kreu i qeverisë e deri tek i fundit, sfidën nuk e kanë me mua. Sfidën e kanë me shifrat që tregojnë shumë qartë dështimet e qeverisjes katërvjeçare”, ka shkruar Hoti në “Facebok”.
Faton Peci mbrëmë në një deklarim për T7 e sfidoi të maten me vota.
“Për ish-kryeministrin Avdullah Hoti, nuk e ftoj në debat televiziv por e ftoj me u përball në Rahovec se kush e sa merr vota në Rahovecin e Ratkocin e Avdullah Hotit. Besoj që qytetarët e Rahovecit e dijnë ndryshimin, e kanë përjetu qeverisjen e Avdullah Hotit si kryeministër edhe Qeverinë Kurti 2 me ministër Faton Peci.”, ka deklaruar Peci.