
Historik, Dardanët e rinj në Botëror, mundin Nigerinë në finale
Hendbollistët e grupmoshës U18 të Kosovës kanë siguruar një sukses historik duke u kualifikuar në Kampionatin Botëror, i cili këtë vit do të mbahet në Egjipt.
Kosova e ka fituar trofeun “IHF Trophy Intercontinental” pasi ka triumfuar në finale ndaj Nigerisë me rezultat 34:30, pas vazhdimeve.
Finalja, e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe dramatike. Dy pjesët e kohës së rregullt kanë përfunduar me rezultat të barabartë, 13:13, duke e çuar ndeshjen në një fund dramatik.
Në sekondat e fundit të kohës së rregullt, Nigeria ka pasur epërsinë 26:25 dhe një mundësi të artë për ta vulosur fitoren. Megjithatë, tentativa e hendbollistit Mustapha Mohammed është ndalur nga Amar Muqolli, i cili më pas ka realizuar golin e barazimit për 26:26, duke e çuar sfidën në vazhdime.
Në periudhën shtesë, Kosova ka treguar forcë, duke e dominuar kundërshtarin dhe duke e mbyllur ndeshjen me fitore 34:30.