
Herzog: Vrasja e dy punonjësve të ambasadës izraelite, akt i neveritshëm urrejtjeje
Presidenti izraelit, Isaac Herzog ka dënuar vrasjen e dy punonjësve të ambasadës izraelite në Uashington, duke e përshkruar sulmin si një akt urrejtjeje dhe antisemitizmi.
“Jam i pikëlluar nga skenat në Uashington”, shkroi Herzog në platformën X.
“Ky është një akt i neveritshëm urrejtjeje, antisemitizmi, i cili ka marrë jetën e dy punonjësve të rinj të ambasadës izraelite”, shkroi ai.
“Ne i qëndrojmë pranë komunitetit hebraik në Uashington dhe në të gjithë SHBA-në”, shtoi Herzog.
“Amerika dhe Izraeli do të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të popullit tonë dhe vlerave tona të përbashkëta. Terrori dhe urrejtja nuk do të na ndajnë”, tha ai.
Dy punonjësit e ambasadës izraelite u vranë jashtë Muzeut Hebraik në Uashington, dje në mbrëmje. I dyshuari ndodhet në paraburgim. /atsh/