Haziri për presidenten Osmani: E tepërt të diskutohet rikthimi në parti politike

Haziri për presidenten Osmani: E tepërt të diskutohet rikthimi në parti politike

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka hedhur poshtë idenë që presidentja Vjosa Osmani, të rikthehet në LDK në një drejtim të ri eventual.

Ai madje në një prononcim për klankosova.tv, vlerësoi se është e tepërt të diskutohet rikthimi i saj në parti politike.

“Një presidente që është në detyrë nuk sheh mbrapa”.

“Ajo sheh përfundimin e mandatit të saj apo synimin për një mandat tjetër. Është e tepërt të diskutohet rikthimi në parti politike”, u shpreh ai.

Kjo pas simptomave për çarje raportesh me kryeministrin Albin Kurti dhe një pjesë të Listës Guxo, e cila u kuptua mes rreshtash nga fjalimi vjetor i presidentes, javën që lamë pas.

Mbi këtë situatë, si ish-bashkëpartiak i saj, tutje Haziri shton se Osmani duhet të jetë mbi palët.

“Vjosa Osmani është Presidente e Republikës dhe është mbi palët”.

“Ajo do të duhej ta ushtronte rolin e saj kushtetues dhe asgjë tjetër”.

“Ne para tre vitesh, rolin e saj ia kemi besu në një siguri të vetme, ta zbatojë detyrën e saj kushtetuese dhe të mos lejojë të bëhet pjesë e axhendave politike të Vetëvendosjes”.

Derisa mbi spekulimet për kthimin e disa funksionarëve të Listës Guxo në LDK, Haziri deklaroi se partia është fokusuar në rikthimin e besimit te qytetarët.

“LDK-së iu kanë kthyer votuesit e saj, por LDK nuk merret me funksionarët e Listës Guxo dhe kjo është politika jonë e viteve të fundit”.

“LDK po rikthehet në besim tek votuesit e qytetarët, por nuk kemi synim funksionarët”, shprehet ai ndër tjera.

Kritikat e presidentes Osmani ndaj qeverisë Kurti duket se kanë hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por për Hazirin, presidentja duhet të mbetet e përkushtuar vetëm ndaj rolit të saj kushtetues.

Share This