
Haziri: Ai që kundërshtoi gjithçka në këtë Republikë, e ka në dorë zgjidhjen e bllokadës
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri duke kujtuar votat që kishte dhënë kjo parti për zgjedhjen e Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit për presidente të vendit, ka thënë se këtë e kanë bërë me marrëveshje e për vendin, ndonëse kjo nuk u ka pëlqyer votueseve të tyre.
Por, në situatën aktuale siç ka thënë ai për agjenda të fshehta nuk do ta votojnë as Kuvendin e as Qeverinë.
Haziri në një postim në Facebook, ka thënë se nuk do të votojnë vetëm përfaqësues që dalin nga marrëveshjet politike.
Ai duke aluduar në Albin Kurtin për të cilin tha se kundërshtoi gjithçka në këtë vend e ka në dorë zgjidhjen e bllokadës.
“Tash, për agjenda të fshehura e veprime të njëanshme, nuk votohet as për Kuvend e as për Qeveri. As për grua e as për burrë, por për përfaqësues që dalin nga marrëveshjet e veprimet politike, që nuk bartin njollën e kontrabandës politike, por të meritës politike. Ai që kundërshtoi gjithçka në këtë Republikë, e di më së miri ta kuptojë kundërshtimin politik dhe e ka në dorë zgjidhjen e bllokadës. Republika, mbi të gjitha!”, ka shkruar Haziri.