Haxholli: Personi që sot u arrestua nga Serbia, është kosovar
Fatmir Haxholli, sekretar i Zyrës së Kosovës në Serbi, ka thënë se personi që sot u arrestua nga Serbia është kosovar, nën dyshimin se kinse ka kryer krime ndaj ushtrisë jugosllave në Kosharë në vitin 1999-në.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se është për keqardhje që Serbia po i vazhdon arrestimet, duke qenë vendi me historinë më të freskët të krimeve të luftës dhe gjenocidit.
“Të vetmit që kanë bërë krime në Kosovë, Koshare, ku forcat militare dhe paramilitare pësuan fiasko, janë forcat serbe, dhe nëse dikush duhet ndjekur për krime lufte në Kosovë dhe Koshare, ai do të duhej të jetë pjesëtarë i atyre forcave”.
“Daçiq edhe pas 30 vitesh mund të mbijetoj në politikën serbe edhe me këto mësymje, por Kosova ka fituar përjetësisht në luftë dhe në paqe kundër Serbisë. Lavdi UÇK-së, lavdi Heroit Agim Ramadani dhe të gjithë të rënëve në Koshare, lavdi të gjithë atyre që luftuan kundër forcave serbe në Koshare dhe në të katër anët e Kosovës”, ka thënë Haxholli.