Haxhiu prezanton punën njëvjeçare,adreson kritika ndaj Prokurorisë Speciale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur konferencën e fundvitit, në të cilën foli për punën dhe arritjet e kësaj ministrie, gjatë këtij mandati e gjatë këtij viti.
Ministrja e Drejtësisë foli për ftesën e Prokurorisë Speciale për kryeministrin dhe për propozimin e Kurtit që intervistimi të bëhet në zyrën e tij. Ajo deklaroi se kryeministri nuk e ka refuzuar intervistimin, derisa pati një sërë kritikash për kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.
“Si është e mundur që rasti i rezervave shtetërore, ka ndodhur gjegjësisht në vitin e kaluar dhe tek tani i bie në mend prokurorisë speciale ta ftojë kryeministrin Kurti në dëshminë e tij. Në ditën që ne kemi qenë duke bërë gati listën e kandidatëve jemi njoftuar nga zyra e kryeministrit për një ftesë të tillë, pra qëllimet dihen, e ka thënë mbrëmë kryeministri Kurti, pra e ka paraqitur Blerim Isufajn si një regjisor që dëshiron që të shihet kryeministri Kurti teksa hyn në ndërtesën e Prokurorisë Speciale dhe të thuhet në media vendore e ndërkombëtare që paska qenë i ftuar për një aferë korruptive”, ka theksuar Haxhiu.
Në konferencën e fundvitit, ministrja foli edhe për punën e këtij dikasteri brenda këtij mandati, duke e konsideruar vetingun në drejtësi, si njërin nga hapat më të rëndësishëm. Haxhiu përmendi
themelimin e institutit për krimet e kryera gjatë luftës, si dhe miratimin e strategjisë për drejtësi tranzicionale dhe mundësinë e gjykimit në mungesë.
“Arritjet tona po ashtu përfshijnë po ashtu themelimin dhe funksionalizimin e gjykatës komerciale, miratimin e ligjit për gjykatën administrative, miratimin e ligjit për byronë e konfiskimit dhe sekuestrimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe po ashtu ligjin më të rëndësishëm, që parasheh reformën e rëndësishme në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, shtoi ministrja
Haxhiu tha se adresimi i dhunës në familje dhe në bazë gjinore ka qenë po ashtu prioritet. Derisa një ligj tjetër të miratuar që ajo e konsideroi të rëndësishëm, ishte edhe ai për shërbimet sociale dhe familjare. /rtk/