
Haxhiu: Ose e bëjmë qeverinë ne ose shkojmë në zgjedhje
Ministrja në detyrë e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pas takimit konsultativ në Kuvend, në lidhje me seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, tha se deri tani e vetmja gjë që dihet është emri i kryeministrit, ndërkaq emrat e bartësve të tjerë të institucioneve nuk dihen.
Haxhiu në konferencë për media u shpreh se nga asnjë prej çështjeve që i kemi thënë kundrejt një subjekti politik nuk jemi tërhequr.
“Po flas për qëndrimet publike politike që i kemi ndaj subjekteve tjera politike. Për këtë çështje Prokuroria themelore në Prishtinë është duke bërë hetime. Sipas informacioneve që ne i kemi, që kanë qenë publike prokuroria ka kërkuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dokumentacione përkatëse në raport me procesin e votimit të mërgatës”, tha Haxhiu.
Ao deklaroi se secili person që është i përfshirë në votat e mërgatës duhet të japë përgjegjësi penale por sipas saj edhe politike.
Sa i përket letrës së dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës për takim, Haxhiu tha se VV përmes kryetarit të saj është në fazën e konsultimeve me subjekte të ndryshme me qëllim të konstituimit të kuvendit të Kosovës dhe votimit të qeverisë së re e sipas saj të gjitha veprimet e VV-së kanë qenë publike dhe transparente.
Ajo deklaroi se nuk e përjashton mundësin që do të ketë përpjekje tjera për takime, prandaj sipas saj kryetari Kurti ka ftuar në takim LDK-në.
“Prandaj, deri në seancën konstituive janë edhe shtatë ditë. Natyrisht që nuk e përjashtoj mundësinë që brenda këtyre shtatë ditëve do të ketë veprime tjera, do të ketë përpjekje të tjera për takime tjera. Në këtë rast, kryetari Kurti ka ftuar për takim LDK-në për nesër apo pasnesër. Janë dy ditë në disa orare. Pra qëllimi është konstituimi i kuvendit duke pasur parasysh se nuk konsiderohet që Kuvendi është konstituuar pa u zgjedhur kryetari dhe të gjithë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës. Ajo që dihet është se kryeministri i ardhshëm do të jetë Albin Kurti dhe qeveria e ardhshme shumë shpejt do të votohet”, tha Haxhiu, raporton rtk.
Haxhiu tha se qeverinë mund ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje dhe se në anën tjetër nuk mendon që opozita mundet ta bëjë qeverinë si e vetme.
“Prandaj, duke qenë kështu ose e bëjmë qeverinë ne ose shkojmë në zgjedhje. Dhe ne jemi të interesuar që ta bëjmë qeverinë”, tha Haxhiu.