
Haxhiu: Nuk kuptoj insistimin e LDK-së për partneritet me PDK-në
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas mbylljes së seancës ka deklaruar se takimet me subjektet politike për të dalë nga bllokada institucionale po vazhdojnë, por theksoi se zgjidhja nuk varet vetëm nga Vetëvendosje.
“Kemi takime me subjektet politike për të dalë nga kjo situatë, por kjo nuk varet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne jemi po aq përgjegjës sa janë edhe deputetët e tjerë të subjekteve të tjera politike. Të gjithë 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të japin kontributin e tyre në mënyrë që Kuvendi të konstituohet,” tha Haxhiu, raporton rtk.
Ajo shtoi se nuk ka pasur mundësi ta lexojë planin e LDK-së, prandaj nuk mund ta komentojë në detaje, por kritikoi qasjen që po sillet rreth diskutimeve politike.
“Është absurde që të mblidhemi për të diskutuar për 15 pika kur ne ende nuk po mund të merremi vesh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Së pari duhet të konstituohet Kuvendi, të ketë unitet, të jemi të unifikuar, dhe pastaj të flasim për çështje të tjera,” tha ajo.
Haxhiu theksoi se Vetëvendosje ka qenë e hapur që LDK-ja të jetë partnere në koalicionin e ardhshëm me qeverinë Kurti 3, por kjo ofertë është refuzuar nga LDK-ja.
“Ata kërkojnë qeveri të unitetit, por nuk e kanë të qartë çka po kërkojnë. Po kërkojnë që të gjitha partitë politike të jenë në qeveri bashkë. Por Kuvendi i Kosovës duhet të ketë edhe opozitë, demokracia e kërkon të ketë qeveri dhe të ketë opozitë,” shtoi Haxhiu.
Duke folur për insistimin e LDK-së që PDK të përfshihet në qeveri, Haxhiu u shpreh: “Nuk e kuptoj qasjen e LDK-së dhe insistimin që me domosdo ta ketë PDK-në në partneritet. Insistimi i LDK-së që ‘jo pa PDK-në’, për mua është i paqartë.”