
Haxhiu: Kushtetuesja duhet të veprojë sa më parë
Ministrja e Drejtësisë në detyrë dhe kandidatja e mazhorancës për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të reagojë sa më parë lidhur me ngërçin institucional. Ajo theksoi se për shkak të ndjeshmërisë dhe urgjencës së situatës, është e domosdoshme që Kushtetuesja ta japë fjalën e saj për të mundësuar zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“Mendoj se është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe urgjencën, të veprojë sa më parë dhe ta thotë fjalën e vet”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka akuzuar opozitën për mungesë vullneti në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe ka refuzuar idenë për formimin e një qeverie tranzitore.
“Që nga 1 maji ka nisur propozimi për kryesuesin e seancës konstituive, por ka pasur disa dështime me votim të hapur”, deklaroi Haxhiu, duke shtuar se në asnjë seancë nuk është parë vullneti i opozitës për të kontribuar në këtë proces.
Sa i përket ftesës së Presidentes për takime me liderët politikë, Haxhiu theksoi se janë të hapur për pjesëmarrje, edhe pse nuk kanë marrë ende ftesë zyrtare.
“Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për konstituimin e Kuvendit, por kjo është edhe përgjegjësi e opozitës. Kurse formimi i qeverisë mbetet në përgjegjësi të LVV-së dhe partnerëve Guxo e Alternativa”, shtoi ajo.
Haxhiu kundërshtoi fuqishëm idenë e një qeverie tranzitore, të propozuar nga kryetari i LDK-së.
“Pse të ketë qeveri të tranzicionit kur qytetarët kanë folur qartë më 9 shkurt? Propozime të tilla janë goditje ndaj vullnetit të popullit dhe nuk kanë mbështetjen e LVV-së”,tha ajo.
Mes tjerash Haxhiu ka konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar takime me Nismën Socialdemokrate dhe është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë që mund të kontribuojnë në zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe më pas në votimin e qeverisë së re. /rtk/