
Haxhiu: Ka një tendencë që vullneti i popullit të injorohet
Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas dështimit të sotëm për t’u konstituuar Kuvendi i Kosovës, tha se është i paqartë pozicioni i partive të tjera që nuk po marrin pjesë në këtë votim. Ajo foli edhe për letrën e LDK-së, duke theksuar se ky qëndrim është i papranueshëm, pasi nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe përbën një tendencë për ta injoruar atë.
“Pra, për mua është i paqartë pozicioni i tyre që fare nuk marrin pjesë në votim për komisionin, në mënyrë që të votojmë me mënyrën e votimit të fshehtë. Është votim shumë demokratik për shumë pozicione në Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe presidentin. Pra, shfrytëzohet dhe parashihet si mundësi votimi i fshehtë, prandaj edhe nuk po e kuptoj si pozicion, por urojmë që të reflektojmë,” tha Haxhiu, raporton rtk.
“Sa i përket qëndrimit të LDK-së pas letrës që i ka drejtuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, mendoj që është e papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne nuk është që kemi pasur zgjedhje para dy-tre viteve, por para tre muajve, prandaj ka një tendencë të hapur që ky vullnet i popullit të injorohet. Ju e dini që Lëvizja Vetëvendosje sot është subjekti më i madh në vend dhe kryeministri Kurti është kandidati me së shumti mbështetjen nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Prandaj kushdo që do me injoruar këtë vullnet e ka gabim dhe kjo fare nuk mendoj që mirëkuptohet nga qytetarët e Kosovës,” tha Haxhiu.