Haxhiu: Dyshimet për varrezën e dytë masive dëshmojnë se drejtësia ende nuk është vendosur

Haxhiu: Dyshimet për varrezën e dytë masive dëshmojnë se drejtësia ende nuk është vendosur

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dyshimeve për ekzistimin e një varreze të dytë masive, duke e cilësuar këtë zhvillim si një rikujtim të rëndë të krimeve të luftës dhe një dëshmi se drejtësia për viktimat ende nuk është përmbushur.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu theksoi se shtrirja e sovranitetit dhe rendit kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës ka qenë një element kyç për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë, identifikimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore te familjet e viktimave.

Ajo shprehu mirënjohje për institucionet e Kosovës, ekipet profesionale dhe ekspertët mjekoligjorë, të cilët, sipas saj, po punojnë me përkushtim për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur.

“Angazhimi i tyre është një shërbim i çmuar ndaj drejtësisë, së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor. Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, por edhe një dëshmi se plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur dhe përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë”, ka deklaruar Haxhiu.

Në reagimin e saj, ajo shprehu solidaritet me familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre, duke ritheksuar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe nderimin me dinjitet të të gjitha viktimave të luftës.

Share This