
Hashim Thaçi më 8 prill 2016: Unë jam vetëm një president i thjeshtë i një populli heronjsh
Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka publikuar një pjesë të fjalimit inaugurues të Hashim Thaçit si president të cilin e kishte mbajtur më 8 prill të vitit 2016.
Në këtë fjalim, Thaçi kishte thënë se është vetëm një president i thjesht` i një populli heronjsh.
“Jam president i heronjve, që të pamundurën e bënë të mundur. Hero është punëtori që ndan nga kafshata e gojës për ta shkolluar fëmijën. Hero është ndërmarrësi që punëson familje të tëra dhe paguan tatime. Hero është veterani që dha gjithçka për atdheun, pa pyetur për shpërblim, pa menduar për rrezik. Invalidi që dha gjymtyrët e trupit për liri. Familjet e dëshmorëve që dhanë më të dashurit për atdheun. I burgosuri që kaloi shumë vite në burg për rend demokratik. Hero është qytetari i diasporës, që nuk kurseu për të sotmen kosovare. Heronj ishin edhe ata një milion refugjatë gjatë kohës së luftës. Sot, hero është minoritari që ka vendosur të jetojë këtu në Kosovë, ku ka pasur rrënjët dhe ku është i gatshëm të përballet me sfidat e jetës. Kosova nuk është e një bashkësie etnike më shumë e një tjetre më pak. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Hero është mësuesi që edukon brezat e rinj. Hero është bujku që prodhon bukën tonë. Hero është mjeku që shëron. Hero është minatori. Hero është ambientalisti që kujdeset për natyrën. Hero është studenti, që ec me trendet e dijes botërore. Heronj janë edhe fëmijët që shkojnë në shkolla, të cilat i ndërtuam me mundin tonë. Sot, hero është prokurori i mirë e gjyqtari i drejtë. Hero është polici që ruan rendin ditë e natë dhe ushtari që garanton lirinë dhe paqen. Qytetari i Kosovës është hero. Ai kujton, por falë. Ai nuk harron, por nuk hakmerret. Ai është krenar, ngrihet mbi të kaluarën e pajtohet. Heronj janë qytetarët e Republikës sonë”, kishte thënë Thaçi në ceremoninë e inaugurimit si president i Republikës së Kosovës.