Hargreaves: Jemi krenarë për rolin tonë në FSK dhe për progresin e saj drejt të qenit profesionale
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se vendi i tij është krenar për arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe për rolin që ka dhënë për këtë.
Ai ka thënë se FSK-ja është profesionale, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse.
“Britania e Madhe është krenare për rolin që ka pasur në progresin e FSK-së drejt të qenit e aftë, profesionale, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse. Dje e përgëzova FSK-në për mbledhjen vjetore të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të përkushtuar në aspiratën e FSK-së për të ofruar siguri në Kosovë dhe Evropë”, ka shkruar Hargreaves në “Facebook”.
Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja të mërkurën kanë mbajtur konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ambasadorë, atashe të mbrojtjes të Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe atashetë ushtarakë të të gjitha shteteve partnere të Republikës së Kosovës.