Haradinaj: Tifozëria shqiptare u ka dhënë hijeshi stadiumeve të Gjermanisë

Haradinaj: Tifozëria shqiptare u ka dhënë hijeshi stadiumeve të Gjermanisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kampionati Evropian i Futbollit më shumë se sa paraqitjen dinjitoze të Kombëtares Shqiptare, ka shpërfaqur kulturën dhe shpirtin shqiptar.

Haradinaj ka thënë se tifozëria shqiptare u ka dhënë hijeshi shesheve e stadiumeve të Gjermanisë, kudo ku janë ndeshur kuqezinjtë.

“Kampionati Evropian i Futbollit, këtë herë, më shumë se sa paraqitjen dinjitoze të Kombëtares Shqiptare, ka shpërfaqur kulturën dhe shpirtin shqiptar. Tifozëria shqiptare u ka dhënë hijeshi shesheve e stadiumeve të Gjermanisë, kudo ku janë ndeshur kuqezinjtë. Atmosfera e krijuar nga shqiptarët e të gjitha trevave, e posaçërisht nga diaspora, do të renditen ndër margaritarët e këtij kampionati”, ka thënë Haradinaj, raporton rtk.

Haradinaj ka shtuar se kombëtarja shqiptare dëshmoi se është e denjë të renditet ndër ekipet më të mira.

“Kombëtarja e Shqipërisë, megjithëse nuk arriti të kualifikohet për të tetën e finales, dëshmoi se është e denjë të renditet ndër ekipet më të mira të sportit më të popullarizuar në Evropë. Asaj i urojmë më shumë sukses në kampionatet e radhës, e deri në Kampionatin Botëror, ku me padurim e presim edhe kualifikimin e Kombëtares së Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

Share This