Haradinaj premton ndërtimin e 8 liqeneve akumuluese: Zgjidhje shekullore për ujin e pijshëm
Kandidati për kryeministër nga koalicioni “Kosova Fituese”, Ramush Haradinaj, ka shpaluar programin për ndërtimim e tetë liqeneve akumuluese.
Ai është shprehur se me ndërtimin e tyre, do bëhet zgjidhja shekullore për ujin e pijshëm.
“’Kosova Fituese’ me ndërtimin e digave do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë për njëqind vitet e ardhshme. Jemi të vendosur ta bëjmë këtë zotim realitet, sepse është një detyrim ndaj Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Programi përfshin projektet që janë paraparë në Strategjinë shtetërore për Ujërat, hartuar gjatë qeverisjes Haradinaj:
Ndërtimi i digës në lumin Lepenc në fshatin Firajë – furnizim me ujë për komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë, Shtime dhe Lipjan.
Ndërtimi i digës në lumin Manastircë, afër fshatit Reçan – furnizim me ujë për komunën e Prizrenit.
Ndërtimi i digës në Dragaçinë – furnizim me ujë për komunën e Suharekës.
Ndërtimi i digës në Lloqan – furnizim me ujë për komunën e Deçanit.
Ndërtimi i digës së Pollatës – furnizim me ujë për komunat Prishtinë dhe Podujevë.
Ndërtimi i digës së Kuqicës – furnizim me ujë për komunat Drenas dhe Skenderaj.
Ndërtimi i digave të Kremenadës ose Desivojcës – furnizim me ujë për komunën e Kamenicës.
Ndërtimi i digës në Shushë të Vitisë ose në Pogragjë të Gjilanit – Përmes studimit të fizibilitetit do të përcaktohet cila prej këtyre digave është më e përshtatshme për furnizimin me ujë të komunave Gjilan e Viti.
“Përveç ujit të pijshëm, digat do të shërbejnë edhe për ujitjen e tokave bujqësore, prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve dhe zhvillimin e zonave rekreative. Programi i koalicionit për Kosovën Fituese përmban konceptet inxhinierike të gatshme për zbatimin e këtyre projekteve”, ka shkruar Haradinaj