Haradinaj: Partneriteti strategjik me ShBA-të është garanci për arritjen e çdo suksesi të Kosovës
Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin, Ritchie Torres, të cilit i ka shprehur falënderime për përkrahjen e tij dhe mbështetjen e pazëvendësueshme që ai personalisht dhe ShBA-të po i japin Kosovës.
“Kongresistin, z. Ritchie Torres e njoftova për zhvillimet ne Kosovë dhe njëherit kërkova që në Kongresin Amerikan të shtrohet tema e anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO. Po ashtu, theksova se është me rëndësi të veçantë forcimi i marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Amerikë. Partneriteti strategjik me ShBA-të është garanci për arritjen e çdo suksesi të Kosovës. Do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.