Haradinaj nga Gjakova: Paga mesatare do të jetë 1000 euro, ndërsa paga minimale dhe pensionet 500 euro

Haradinaj nga Gjakova: Paga mesatare do të jetë 1000 euro, ndërsa paga minimale dhe pensionet 500 euro

Kryetari i AAK-së, ka mbajtur takim me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në Gjakovë.

Ai ka theksuar se së bashku me Ardian Gjinin, Pal Lekajn, Lahi Brahimajn, Burbuqe Bakija-Devën, Teuta Haxhiun, Adea Rokën dhe Artan Nimanin, kanë prezantuar planin për Kosovën Fituese.

“Ne e dimë rrugën drejt suksesit. E dëshmuam me ngritjen e Ushtrisë së Kosovës, me krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes, me taksën 100% për mbrojtjen e prodhimit vendor, projekte e vendime tjera madhore”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

“Plani ynë është i qartë: anëtarësim direkt në NATO, rritje e cilësisë së jetës, pagë mesatare 1000 euro, pagë minimale dhe pensione 500 euro. Gjakova do të rilindë me Zonën Ekonomike Amerikane”, ka thënë ai.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Gjakova e dijes, traditës dhe kulturës, që është dëshmitare historike e trimërisë, sakrificës dhe fitoreve, sot dëshmoi nisjen e kthesës së madhe për vendin. Së bashku me Ardian Gjinin, Pal Lekajn, Lahi Brahimajn, Burbuqe Bakija-Devën, Teuta Haxhiun, Adea Rokën dhe Artan Nimanin, sot kemi prezantuar planin për Kosovën Fituese.

Zona Ekonomike Amerikane, projekti që premtonte mijëra vende pune, sot qëndron e braktisur. Rruga Gjakovë-Dollc, e nisur në 2018-ën, është shndërruar në dëshmi të paaftësisë qeverisëse. Për kaq gjatë vite të Kurtit në pushtet, ai nuk e ktheu kokën asnjëherë nga Gjakova. Mirëpo Gjakova ia doli me sukses. Edhe pse e lënë anash, sot radhitet ndër komunat me performancën më të lartë dhe kjo falë punës së pashoq të Kryetarit Gjini me ekipin e tij të jashtëzakonshëm.

Ne e dimë rrugën drejt suksesit. E dëshmuam me ngritjen e Ushtrisë së Kosovës, me krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes, me taksën 100% për mbrojtjen e prodhimit vendor, projekte e vendime tjera madhore.

Plani ynë është i qartë: anëtarësim direkt në NATO, rritje e cilësisë së jetës, pagë mesatare 1000 euro, pagë minimale dhe pensione 500 euro. Gjakova do të rilindë me Zonën Ekonomike Amerikane. Bujqësia do të marrë trefishin e financimit, termocentrali i ri do të sigurojë energji më të lirë, ndërsa fondi special për punësimin e parë të rinisë dhe Pakoja për Mirëqenien e Familjes do të hapin mundësi të reja. Kjo është Kosova që meritojmë – një Kosovë që fiton, zhvillohet dhe ecën përpara me dinjitet.

Share This