Haradinaj komenton deklaratën e Hovenierit “Mos urinoni nga klubi ku doni të hyni”
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni”.
Haradinaj përmes një statusi në “Facebook” ka thënë se kjo është një shprehje shumë e pazakontë e tij, që sipas tij, është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova.
“Ambasadori Amerikan Jeffrey Hovenier ka qenë i kyçur në temën e Kosovës që nga lufta çlirimtare e popullit tonë e posaçërisht gjatë negociatave nën udhëheqjen e Marti Ahtisaarit. Ambasadori Hovenier shquhet si njeri me vlera të larta njerëzore, top diplomat me një urtësi të madhe politike, njerëzore dhe intelektuale. Ai ka gjithmonë fjalë të përzgjedhura dhe ka një dashuri të madhe për Kosovën dhe popullin e saj. Shprehja e tij ‘mos urinoni nga klubi ku doni të hyni’ është shprehje shumë e pazakontë e tij. Kjo shprehje e pazakontë është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën si Hovenier kjo ju dhemb. Kosova është keq dhe ka trend të përkeqësimit. Kambanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh!”, ka shkruar Haradinaj.