“Hapjen e Urës së Ibrit e duan edhe serbët”
Hapja e Urës së Ibrit, është një nga temat kryesore që po ndiqet me mjaft interes ditëve të fundit në Kosovë.
Hapjen e urës, sipas avokatit Tomë Gashi, po e dëshirojnë edhe serbët.
“Për shkak se qarkullim kanë ditor. Edhe atyre iu bie mirë, që sa i bartin mallrat me ato qeset me pagesë, t’i bartin me veturat që i kanë. Dhe tani edhe ato bizneset tona, bizneset tona, po kalojnë nga veriu kështu dalëngadalë. Sot kemi pasur edhe hapjen e një vetshërbimi të madh. Dhe kështu po normalizohet situata krejtësisht”, tha Gashi në Info Magazine në Klan Kosova.
Ndërkaq sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ripërsëritur se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt.
Kurti në fjalën e tij hapëse në mbledhjen e qeverisë ka thënë se lidhur me hapjen e saj ka biseduar edhe në takimin e djeshëm me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, dhe u shpreh se se do të vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët, njofton Klankosova.tv.
“Hapjen e Urës së Ibrit e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit dhe të qëndrueshmërisë së urës. Rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilin e kemi ndarë dje edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër, janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë, shtetin, qytetarët dhe komunitetet”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
“Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e Urës nuk është kundër askujt e aq më pak kundër partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, pra të hapura”, tha kreu i qeverisë.