Hapja e Urës së Ibrit pa mbështetje të perëndimit “mund të nxisë tensione”, thotë Prelec
Hapja e Urës së Ibrit pa mbështetjen e Perëndimir “mund të nxisë tensione të reja” në veri të Kosovës, ka thënë Eksperti për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Prelec tha se shmangia e tensioneve të reja në Kosovë, mund të ketë qenë një nga temat e diskutimeve të Drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns, gjatë takimeve me udhëheqësit e Kosovës.
“Por nuk pres domosdoshmërisht të ketë ndonjë lloj dhune, mund të shohim demonstrata. Përshtypja ime, duke theksuar se kanë kaluar disa muaj prej që kam vizituar Kosovën dhe gjërat mund të kenë ndryshuar, por nga hera e fundit që kam qenë në veri përshtypja ime është se popullata atje është mjaft e frikësuar dhe se nuk ndihet sikur është në pozicion të kryej akte që tregojnë forcën siç është provuar në të kaluarën me vendosjen e barrikadave apo individ të caktuar që kryenin veprime, që disa do t’i cilësonin si paraushtarake, e të tjerë si terrorizëm kundër shtetit. Nuk duket të ketë gatishmëri tani për tani në veri të Kosovës për të bërë diçka të tillë”, tha ai.