Hamza premton hekurudhë elektrike Mitrovicë-Prishtinë-Shkup

Hamza premton hekurudhë elektrike Mitrovicë-Prishtinë-Shkup

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në tubimin e mbajtur në Mitrovicë, premtoi projekte të rëndësishme zhvillimore, përfshirë hekurudhën elektrike Mitrovicë-Prishtinë-Shkup.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në qytetin e Mitrovicës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, para simpatizantëve e strukturave të PDK-së tha se pas 9 shkurtit Mitrovica do të jetë më e fortë e më e zhvilluar.

“Një njeri i ndershëm, një patriot, një mik e bashkëpunëtor. Një lider për të cilin ka sot nevojë Kosova, Bedri Hamza. Bedri Hamza kurrë nuk është tërhequr nga sfidat. Sot Kosova ka nevojë për një kryeministër që na bashkon e nuk na ndan, Bedri Hamza na bashkon, Bedri Hamza ka plan, Bedri Hamza na bashkon,” ka thënë Krasniqi.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër para bashkëvendësve në Mitrovicë, derisa ka përshëndetur djemtë e ish-krerëve të UÇK-së të cilët e mbështetën në këtë tubim, ka premtuar se do të vazhdojnë ta zhvillojnë vendin përpara.

E për Mitrovicën, Hamza premtoi tren elektrik “Mitrovicë-Prishtinë-Shkup”.

“Një hekurudhë që lidh Mitrovicën me Prishtinën për më pak se 25 minuta dhe Shkupin vetëm për një orë,” tha Hamza.

Hamza në Mitrovicë premtoi rritje të pagave, rritje të pensioneve, mbështetje për bujq, zhvillim ekonomik, energji të ripërtërishme, sigurim shëndetësor, barëra falas, arsim cilësor e fakultete evropiane. /rtk/

Share This