Hamza nga Istogu: Do t’i rrisim pagat për 50%, pensionet për 70%

Hamza nga Istogu: Do t’i rrisim pagat për 50%, pensionet për 70%

Ngritje pagash prej 50% e ngritje të pensioneve bazike prej 70%, ka premtuar kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, nga shtëpia e kulturës “Adem Jashari” në Istog.

“Do t’i rrisim pagat në fillim të mandatit për 50%. Do t’i rrisim pensionet bazike,
pensionet e moshës dhe pensionet kontributdhënëse për 70%”, ka thënë Hamza, raporton rtk.
Ai ka thënë se pensionet për kategoritë e dala nga lufta do të rriten për 50%. Ka
specifikuar se me qeverisjen e tyre, familjarët e dëshmorëve nuk do të detyrohen të
zgjedhin nëse do ta marrin pensionin e moshës apo të dëshmorit, por do t’i marrin të
dyja në mënyrë automatike.
“Veteranëve do t’u njihet e drejta e punës pa u penguar pensionet”ka thënë ai.
Hamza ka thënë se me PDK do të bëhet krijimi i Fondit të Papunësisë, ku ka premtuar
se për 6 muaj, individët e papunë do të marrin 80% të pagës së fundit.
“Ne para juve jemi me një program që adreson nevojat e qytetarëve. Qëllimi ynë është
ndërrimi e zhvillimi i ekonomisë, të hapim vende të reja të punës, mos ta shohin
perspektivën vetëm në emigracion. Me përkrahjen ndaj bizneseve, qëllimin e kemi se si
ta përmirësojmë jetën e punëtorëve të sektorit privat”, ka thënë ai.
Kandidati për kryeministër ka premtuar 25 milionë euro për bursa çdo vit, duke përfshirë
shkollimin brenda dhe jashtë Kosovës; ndërkaq mbi 6 miliardë euro për investime në
infrastrukturë.
Në anën tjetër, kryetari i degës së PDK-së në Istog, Ali Nimanaj ka bërë thirrje për votim
të kandidatit për deputet nga ky qytet, Shasivar Haxhijajt.
Share This