Hamza në Dragash premton ulje të çmimit të energjisë elektrike
Numri një i listës së Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza ka shpalosur progranin e tij qeverisës në Komunën e Dragashit.
Hamza para qytetarëve të Dragashit premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike.
“Ne ballafaqohemi me mungesë të prodhimit të energjisë elektrike, kapacitetet tona prodhuese nuk janë të mjaftueshme me mbulua konsumin. Prandaj, ne do të thjeshtësojmë procedura, do të krijojmë agjencinë që do të mundësojë ‘One Stop Shot’ që të gjithë të regjistrohen, të kemi prodhim më të madh të energjisë elektrike prej të gjitha burimeve të mundshme pa e bërë dallimin. Prej cilit burim? Kryesisht jemi të fokusuar ne energjinë e ri përsëritshme dhe mbrojtjen e ambientit. Dhe me këtë e kemi për qëllim uljen e çmimit të energjisë elektrike për energjinë familjare dhe bizneset”, ka thënë ai.
Në këtë tubim Hamza tha se synim i tyre është përmirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve të Dragashit e të gjithë vendit përmes rritjes së pagave, përmirësimit të shëndetësisë, arsimit, përkrahjes për fermerë e bujq.
“Jemi të fokusuar ta përkrahim Komunën e Dragashit, potencialin turistik në këtë komunë, përmes investimeve në infrastrukturë dhe krijimit të kushteve që të gjithë ata që dëshirojnë t’i vizitojnë bukuritë e Sharrit dhe Dragashi të ketë turistë”, ka deklaruar Hamza.
Bedri Hamza poashtu premtoi zhvillim ekonomik të qytetit të Dragashit përmes përkrahjes së prodhueseve të qumështit, subvencione për blegtorë e bujq, raporton rtk.