
Hamza kërkon konstituimin urgjent të Kuvendit: Nuk mund të kushtëzohet nga kalkulimet politike
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kërkuar thirrjen urgjente të seancës së Kuvendit të Kosovës për përfundimin e procesit të konstituimit, duke e cilësuar këtë si një detyrim kushtetues që nuk mund të kushtëzohet nga marrëveshjet politike apo interesat elektorale.
Hamza ka kritikuar zvarritjen e procesit, duke thënë se Kuvendi nuk mund të trajtohet si pronë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, apo e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pushteti duhet ta thërrasë urgjentisht seancën për konstituimin e tij. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike, kalkulime elektorale apo interesa personale të askujt”, ka deklaruar Hamza.
Sipas kreut të PDK-së, vonesat në konstituimin e Kuvendit po shkaktojnë një vakum institucional dhe, sipas tij, po përdoren për kalkulime politike.
“Albin Kurti po e zvarrit procesin, sepse konstituimi i tashëm i Kuvendit ia prish kalkulimet politike. Sa më gjatë të mbahet vendi në këtë vakum institucional, aq më shumë hapësirë krijohet për skenarë të rinj politikë dhe zgjedhorë”, është shprehur ai.
Hamza e ka cilësuar situatën si shkelje të Kushtetutës dhe degradim të institucioneve, duke theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe nuk mund të trajtohen si rekomandime.
Në fund, ai ka bërë thirrje që seanca për konstituimin e Kuvendit të mbahet sa më shpejt, duke paralajmëruar se mbajtja e vendit në një situatë të zgjatur institucionale për interesa elektorale do të ishte gabim i rëndë.
“Thirreni seancën. Respektoni Kushtetutën. Kuvendi duhet të konstituohet. Nëse dikush mendon se mund ta mbajë Kosovën në anarki kushtetuese dhe ligjore për t’i realizuar kalkulimet e veta elektorale, gabon rëndë. Kuvendi duhet të konstituohet tash, menjëherë!”, ka përfunduar Hamza.

