Hamasi kundërshton kushtet e reja izraelite në bisedimet për armëpushim

Hamasi kundërshton kushtet e reja izraelite në bisedimet për armëpushim

Vazhdojnë sulmet izraelite në Gaza, pavarësisht tensioneve të përshkallëzuara me Hezbollahun. Shtëpia e Bardhë në anën tjetër tregohet optimiste për arritjen e një marrëveshje për armëpushim në Gaza.

Shtatë persona janë vrarë në një sulm me dronë në Gaza. Përderisa në anën tjetër palestinezët janë detyruar sërish të evakuohen nga ‘Spitali i Martirëve’ në Al-Aksa, në Deri el-Balah të Gazës qendrore, si objekti i fundit mjekësor funksional në zonë.

Hamasi në anën tjetër, ka kundërshtuar kushtet e reja izraelite në bisedimet e armëpushimit në Egjipt dhe këmbëngul që Izraeli të jetë i detyruar të respektoj kushtet e propozimit të paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë apel për de-përshkallëzimin të menjëhershëm pas shkëmbimit të zjarreve mes Izraelit dhe Hezbollahu përtej kufirit jugor të Libanit.

Zëdhënësi i Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se presidenti Biden është i informuar në kohë reale për zhvillimet mes Hezbollahut. Ai njoftoi se zyrtarët amerikanë janë në kontakt të vazhdueshëm me homologët e tyre izraelitë gjatë gjithë fundjavës.

Kirby theksoi para medieve se pavarësisht problemit të ri me Hezbollahun, bisedimet për paqe nga ekipi amerikan vazhdojnë të kenë përparim. Ato, sipas Kirbyt, priten të vazhdojnë për disa ditë, pavarësisht tensioneve.

Nga Pentagoni i Shteteve të Bashkuara u tha se kërcënimi i sulmeve të Iranit ndaj Izraelit janë ekzistuese dhe ende prezente. Lufta e Izraelit në Gaza, deri më tani, ka shkaktuar së paku 40,435 viktima, 93,534 të plagosur dhe 10.000 të arrestuar. /rtk/

Share This