
Hamasi i gatshëm t’i lirojë pengjet e mbetura gjatë fazës së dytë të armëpushimit
Zëdhënësi i grupit militant palestinez Hamas, Taher Al-Nono, ka deklaruar të mërkurën se Hamasi është i gatshëm t’i lirojë të gjitha pengjet e mbetura gjatë fazës së dytë të armëpushimit, raporton LeMonde.
Al-Nono nuk e ka specifikuar sa pengje janë duke u mbajtur në Rripin e Gazës. Gjatë sulmit të Hamasit në Izrael me 7 tetor të vitit 2023 ishin kidnapuar 251 njerëz. 70 pengje, 35 prej të cilëve besohet se kanë vdekur, janë duke u mbajtur në Rripin e Gazës sipas burimeve të ushtrisë izraelite.
Në kuadër të fazës së parë të armëpushimit, që planifikohej të mbaronte me 2 mars, 19 pengje izraelite janë liruar në këmbim për 1,100 të burgosur palestinezë të mbajtur në Izrael.
Kushtet e fazës së dytë të armëpushimit, që ka për qëllim t’i japë fund luftës dhe të lirojë të gjitha pengjet, pritet të definohen me datën 2 mars. Nëse gjithçka shkon sipas planit, faza e tretë dhe finale njëkohësisht do të përqendrohet në rindërtimin e Gazës.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Saar, ka deklaruar të martën se Izraeli do t’i fillojë negociatat indirekte me Hamasin për fazën e dytë të armëpushimit këtë javë, duke kërkuar gjithashtu demilitarizimin e plotë të enklavës.