
Hamasi hedh poshtë planin e ri të armëpushimit të SHBA-së në Gaza
Hamasi do të refuzojë propozimin e fundit të bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një armëpushim të ri në Gaza dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve.
Lajmi është bërë me dije nga një zyrtar i lartë i Hamasit i cili shtoi se propozimi nuk i plotësonte kërkesat thelbësore, përfshirë përfundimin e luftës, dhe se do të përgjigjej në kohën e duhur.
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se Izraeli kishte “miratuar” planin e të dërguarit amerikan Steve Ëitkoff dhe se po priste një përgjigje zyrtare nga Hamasi.
Mediat izraelite cituan zyrtarë izraelitë të kenë thënë se Hamasi do të dorëzonte 10 pengje të gjallë dhe trupat e 18 pengjeve të vdekur në dy faza, në këmbim të një armëpushimi 60-ditor dhe lirimit të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Izraeli vendosi një bllokadë totale ndaj Gazës dhe rifilloi ofensivën e tij ushtarake kundër Hamasit më 18 mars, pas prishjes së një armëpushimi dy-mujor të ndërmjetësuar nga SHBA-të, Katari dhe Egjipti.
Më 19 maj, ushtria izraelite nisi një ofensivë të zgjeruar që, sipas Netanyahut, do të shihte trupat të “merrnin kontrollin e të gjitha zonave” të Gazës.
Pothuajse 4,000 njerëz janë vrarë në Gaza gjatë 10 javëve të fundit, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit, e cila drejtohet nga Hamasi.
OKB-ja thotë se 600,000 njerëz të tjerë janë zhvendosur përsëri nga operacionet tokësore izraelite dhe urdhrat e evakuimit, dhe një raport nga IPC i mbështetur nga OKB-ja paralajmëron se rreth 500,000 njerëz përballen me nivele katastrofike të urisë në muajt e ardhshëm. /rtsh/