Hamasi: Do t’i lirojmë të gjithë pengjet nëse Izraeli i jep fund luftës në Gaza

Hamasi: Do t’i lirojmë të gjithë pengjet nëse Izraeli i jep fund luftës në Gaza

Hamasi është shprehur i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet izraelitë me kushtin që Izraeli t’i japë fund luftës në Rripin e Gazës.

Një delegacion i Hamasit ndodhet aktualisht në Kajro për bisedime me zyrtarë egjiptianë dhe Katar, të cilët së bashku me SHBA-në po ndërmjetësojnë për të arritur një armëpushim në enklavën palestineze.

“Ne jemi gati të lirojmë të gjithë pengjet  izraelitë brenda kornizës së një marrëveshjeje të vërtetë të shkëmbimit të të burgosurve dhe në këmbim të ndërprerjes së luftës, tërheqjes së forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe hyrjes së ndihmave humanitare,” tha Taher al-Nunu, një figurë kryesore e Hamasit.

“Problemi nuk qëndron në numrin” e pengjeve që duhet të lirohen, shtoi zyrtari i Hamasit, “por në faktin se (Izraeli) po rishikon angazhimet e tij, duke bllokuar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe duke vazhduar luftën”.

Taher al-Nunu gjithashtu deklaroi se Hamasi nuk do të çarmatoset, që është një nga kushtet e vendosura nga Izraeli për t’i dhënë fund luftës.

“Armët e rezistencës nuk janë të negociueshme,” vuri në dukje ai.

Kthimi i pengjeve

Faza e parë e armëpushimit, midis 19 janarit dhe 17 marsit, lejoi kthimin e 33 pengjeve, duke përfshirë 8 të vdekur, në këmbim të lirimit nga Izraeli të rreth 1,800 të burgosurve palestinezë.

Përpjekjet për të ri-zbatuar një armëpushim deri më tani kanë hasur në mosmarrëveshje mbi numrin e pengjeve që Hamasi duhet të lirojë.

Lufta në Gaza u shkaktua nga sulmi i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.

Share This