Hagë: Ish-oficeri i KFOR-it u përball me mbrojtjen e të akuzuarve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është mbajtur seanca e parë pas pushimeve verore, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Para trupit gjykues të hënën filloi dëshminë dëshmitari i 76-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ish-oficeri i forcave amerikane në KFOR, Steven Rusell. Në sallën e gjyqit ai kishte ardhur i shoqëruar nga tre përfaqësues të qeverisë amerikane.
Gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, pas pushimeve verore, Zyra e Prokurorit të Specializuar e nisi me dëshmitarin Steven Rusell, i cili në vitin 1999 ishte oficer i forcave amerikane të KFOR-it.
Kryetari i trupit gjykues, duke njoftuar për procesverbal, tha se njëri nga përfaqësuesit i cili ishte ulur pranë dëshmitarit e përfaqëson dëshmitarin, ndërsa dy të tjerë që ishin ulur pas mbrojtjes së viktimave e përfaqësojnë Departamentin e Shtetit Amerikan.
Dëshmitari u pyet rreth një operacioni të KFOR-it, i cili kishte ndodhur në Kosovë, më 1999 në një bujtinë që shfrytëzohej nga UÇK. Rusell tha se aty kishin gjetur shumë gjëra.
“Në anën e djathtë ishte një vend ku ishte si një pjesë e ndarë një karrige dhe disa instrumente të mprehta. Kishte njolla gjaku në dysheme. Pra e gjitha ishte në një pjesë të izoluar në një qoshe. Të gjitha këto ishin afër njëra-tjetrës. Nuk dukej që ishte gjakderdhje e madhe dhe se dukej që ishte e freskët”, tha dëshmitari Rusell.
Dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas ZPS-së ishte autorizim policie ku thuhej se poseduesi i këtij letërnjoftimi zyrtar ka të drejtë në mbajtjen e armëve dhe ti përdorë ato në rastet e parapara me ligj, të bëjë legjitimimin e personave dhe t`i sjellë para policisë e të tjera për të cilat Rusell tha se i kanë parë dhe sekuestruar disa të tilla.
Ish-oficeri i forcave amerikane të KFOR-it u përball edhe me mbrojtjen e të akuzuarve pasi në dëshminë e tij me shkrim Rusell kishte dhënë disa deklarata të çuditshme lidhur me ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.
Avokatja e Hashim Thaçit, Nina Tavakoli, e pyeti atë lidhur me qëndrimet tij, rreth deklaratës së dhënë para prokurorisë ku kishte thënë se fushata ajrore e NATO-s më shumë impononte një rezultat dhe nuk kishte qëllim paqeruajtës.
“Ne po shkonim aty për të zbatuar Rezolutën 1244 që ishte rezultat i ndërhyrjes në sovranitetin e Serbisë në emër të vuajtjes së shkaktuar në provincën e Kosovës dhe mendova që në këtë kontekst në po ndërhynim në sovranitetin e Serbisë për të zbutur vuajtjen e njerëzve në provincën Kosovës”, ka thënë Rusell.
Mbrojtja në sallën e gjyqit dëshmitarit i lëshoi fjalimin e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, në kohën kur kishin nisur bombardimet e NATO-s mbi Serbinë me qëllimin paqësor dhe në mbrojtje të popullatës civile e më pas Tavakoli e pyeti dëshmitarin: “A është kjo që tha presidenti Clinton në përputhje me njohuritë që kishit ju për arsyet që NATO Ndërhyri”.
Në çast Rusell ndryshoi qëndrim.
“Besoj që kjo ka qenë ajo që e mendonim të gjithë ne”, ka thënë Rusell.
Tavakoli e ka pyetur dëshmitarin edhe për deklarimet ndaj Hashim Thaçit, ku Rusell kishte thënë se Thaçi nuk e donte një Kosovë multietnike. Avokatja i tha atij se askund Thaçi nuk i kishte thënë asaj gjëra të cilat po pretendonte dëshmitari. /rtk