
Haalandi është dëshira kryesore e Perezit
Te Real Madridi nuk e marrin situatën me të lehtë. Edhe pse negociatat për rinovimin e kontratës së Vinicius Junior janë ende në vazhdim dhe rreth klubit mbizotëron një ndjenjë qetësie, realiteti është se në zyrat e “Bernabeut” tashmë po mendojnë për një skenar të mundshëm ku braziliani mund të përfundojë duke i mbledhur valixhet për në Arabinë Saudite.
Sipas disa burimeve pranë klubit, nuk përjashtohet plotësisht mundësia që ofensiva saudite, me shifra astronomike, ta bindë përfundimisht lojtarin, raporton “Fichajes”.
Liga saudite e futbollit tentoi ta transferonte edhe verën e kaluar, dhe larg së hequri dorë nga ideja, ata po përgatisin një ofertë të re që mund të jetë e vështirë për t’u refuzuar, si për lojtarin ashtu edhe për klubin.
Nëse largimi i tij finalizohet, do të ishte një operacion me përmasa historike, jo vetëm për tarifën e transferimit që do të rrite ndjeshëm arkat e klubit, por edhe për pagën që do të përfitonte sulmuesi.
Duke qenë të vetëdijshëm për këtë skenar të mundshëm, Real Madridi tashmë e ka të qartë planin: të shkojnë për Erling Haaland.
Sipas gazetës “Sport”, edhe pse sulmuesi norvegjez ka nënshkruar së fundmi një kontratë afatgjatë me Manchester Cityn deri në vitin 2034, në kryeqytetin spanjoll ëndërrojnë ta shohin me fanellën e bardhë si pasardhësin e Viniciusit.
Klubi e di që largimi i tij nuk do të jetë i lehtë, por gjithashtu janë të vetëdijshëm se me fuqinë financiare të nevojshme (si ajo që do të vinte nga largimi i brazilianit), mund të synojnë firmën e tij.
Ideja nuk është e re në Valdebebas. Haaland ka qenë gjithmonë në radarët e Florentino Perezit.
Tani, me Kylian Mbappen tashmë të firmosur, norvegjezi shfaqet si Galaktiku i ardhshëm. Gjithçka do të varet nga Viniciusi… dhe paratë që do të sillte një lamtumirë e mundshme e tij.