Guardiola: Nuk më shkoi plani siç duhej në finalen e FA Cup, Ten Hag është trajner i jashtëzakonshëm
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, mori fajin përsipër pas humbjes në finalen e FA Cup ndaj Manchester United.
Duke folur për mediet pas disfatës 2-1 në “Wembley”, trajneri spanjoll së pari uroi “Djajtë e Kuq” për fitoren, ndërsa më tej theksoi se plani i tij për ndeshjen nuk ishte i mirë, ndaj dhe sipas tij humbën në finale.
“Së pari urime Manchester United-it për fitoren. Sa i përket ndeshjes, plani im i lojës nuk ishte i mirë, ndonëse në pjesën e dytë reflektuam disi, nuk ishim mjaftueshëm intensivë, as nga ana taktike nuk ishim në nivelin e duhur”, tha fillimisht ai.
Më tej, Guardiola shtoi se janë të zhgënjyer me humbjen, teksa theksoi se tani është momenti që të pushojnë, për t’u rikthyer siç duhet.
“Ne jemi të zhgënjyer sot. Është normale kur një ekip humbet finalen, por duhet thënë se ky sezon ka qenë i jashtëzakonshëm. Ne kemi sfiduar që në të gjithë kompeticionet të japim maksimumin, tani duhet të pushojmë dhe të jemi gati për një rikthim të denjë”-vijoi trajneri.
I pyetur për trajnerin e United, kreu i stolit të City-t deklaroi se Ten Hag është një teknik i jashtëzakonshëm dhe se sipas tij “Djajtë e Kuq” duhet të marrin vendimin e duhur për holandezin.
“Ata duhet të marrin një vendim. Ten Hag është një person i mrekullueshëm, një trajner i jashtëzakonshëm, fitimi i FA Cup ishte i rëndësishëm për ta, siç ishte për ne sezonin e kaluar”, përfundoi Pep Guardiola. /abc/