Guardiola i trembet “topçinjve”: Arsenal është rikthyer, është një ndër ekipet më të mira në botë
Pas një sezoni për t’u harruar ku humbën titullin vetëm në javët e fundit të Premier League, përballë “qytetarëve” të Manchester City, “topçinjtë” e Arsenal do të presin pasditen e së dielës, në “Emirates Stadium”, pikërisht djemtë e Pep Guardiola-s, në përballjen e vlefshme për javën e 9 të Kampionatit anglez të futbollit, Premier League.
Siç e do zakoni, një ditë para sfidës u zhvillua dhe konferenca për shtyp, nga e cila tekniku spanjoll u shpreh se Arsenal nuk kishte arritur më parë në një nivel të tillë ndërsa shtoi se pret që në përballjen direkte, “topçinjtë” të mos qëndrojnë në mbrojtje.
“Arsenal ishte rivali ynë më i madh, në të kaluarën nuk e kishin arritur më parë këtë nivel. Për momentin janë një ndër ekipet më të mira dhe besoj se do të qëndrojnë të tillë për shumë kohë. Kanë një model të qartë dhe luftuan shumë pë t’u bërë kampionë në sezonin e kaluar, tani do të provojnë sërish për të arritur objektivin. Arsenal është rikthyer me të vërtetë.
Disfata me Wolverhampton? Bëhet fjalë për një ndeshje që nuk do t’i ngjajë aspak asaj me Arsenal. Wolves ishte në mbrojtje nga minuta e parë dhe nuk besoj se Arsenal do të ndjekë një strategji të tillë. Duhet të përshtatemi me kundërshtarin, edhe pse njihemi shumë mirë”,- u shpreh Guardiola.