Guardiola flet hapur dhe shpreh dëshirën: Kam vetëm një ëndërr!
Manchester City e ka nisur sezonin në Premier League aty ku mbylli kampionatin e kaluar.
Dy fitore në dy javët e para për të besuarit e trajnerit Pep Guardiola, pa harruar edhe triumfin në Superkupën e Europës përballë Sevillas.
“The Citizens” përgatiten për të shijuar një tjetër sezon si protagonist ku sërish do të kërkojnë triumfin në çdo kompeticion ku marrin pjesë.
Megjithatë, për t’ia dalë me sukses tekniku spanjoll ka nevojë edhe për ndihmën e senatorëve të skuadrës dhe së fundmi Pep thekson se ëndrra e tij është të shoh Kyle Walker dhe Bernardo Silvën duke rinovuar me Manchester Cityn.
“Ëndrra ime është që Bernardo Silva të qëndroj dhe të rinovoj kontratën me Cityn. E njëjta vlen edhe për Walker, shpresoj që kjo çështje të përfundoj shpejt. E them këtë nga thellësia e zemrës, është ëndrra ime më e madhe që ata të dy të qëndrojnë te City”, u shpreh Pep.
Walker dhe Silva janë pjesë e “The Citizens” prej vitit 2017, me mbrojtësin që numëron 257 prezenca ndërsa portugezi është aktivizuar në 308 ndeshje duke luajtur kështu një rol të jashtëzakonshëm në 15 trofetë që City ka fituar në këto gjashtë vite.