Guardiola e do te City, Reijnders: Jam i lumtur te Milani, kemi super ekip
Tijani Reijnders është një nga zbulimet më të bukura të Milanit të ri. Kuqezinjtë siguruan shërbimet e mesfushorit holandez nga AZ Alkmaar për 20 mln euro + bonuse.
25-vjeçari debutoi edhe me kombëtaren tulipane në sukseset e këtij muaji përballë Greqisë (3-0) dhe Irlandës (1-2), sfida të eliminatoreve të Euro 2024.
Pep Guardiola ka mbetur i mahnitur nga cilësitë dhe personaliteti i tij, dhe e kërkon te Manchester City. Me kampionët e Anglisë që pritet të ofrojnë rreth 50 mln euro për kartonin e Reijnders.
Por mesfushori ndihet i lumtur në Milanon kuqezi dhe qetëson tifozët. “Ndihem shumë rehat te Milani, jam ndjerë që në fillim si në shtëpinë time. Jam në formë të mirë, dhe jam i lumtur që ndodhem këtu”.
Më pas një koment për kampionatin italian: “Nuk është e lehtë të luash në Serie A, është një kampionat komplet ndryshe nga holandezi. Në çdo ndeshje mësoj diçka të re”.
Reijnders flet edhe për stilin e tij të futbollit dhe pozicionin e preferuar në fushë.
“Më pëlqen roli ku po luaj. Jam një mesfushor ofensiv, më pëlqen të sulmoj, por edhe të mbroj. Roli që kam te Milani është ai që preferoj. Gjithmonë përpiqem të krijoj raste dhe të ndihmoj skuadrën. Do të doja ta bëja edhe me gola, është e vetmja gjë që më mungon.
Milan? Kemi ekip të shkëlqyer. Edhe ata që nuk luajnë që në fillim bëjnë një punë të shkëlqyer. Ka shumë cilësi, mund të bëjmë gjëra të mëdha, ndoshta edhe të fitojmë kampionatin”, përfundoi Reinders.