Guardiola: Duam ta nisim me fitore, ky Inter është më i forte
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se dueli me Inerin do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse sipas tij, skuadra italiane është më e fortë se në finalen e Stambollit.
‘Qytetarët’ dhe Interi do të përballen nesër mbrëma në ‘Etihad Stadium’ në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Ligën e Kampionëve.
15 muaj më parë City e kishte mundur Interin në finalen e Ligës së Kampionëve.
Por, sipas Guardiolës, ky Inter është edhe më i fortë se në finalen e Stambollit.
“Unë ju thashë në atë kohë sa të fortë ishin zikaltrit, tani më besoni. Dje e pashë përsëri finalen e Stambollit për herë të parë. Më kujtohet se ishte një ndeshje shumë e ngushtë, me Interin që pati dy raste shumë të qarta. Ne patëm vetëm një rast me Foden, pas golit të Rodrit, por tani Interi është edhe më i fortë në Itali. Calhanoglu, Acerbi, sidomos Barella… është një ekip i kompletuar, i cili mund të fitojë kampionatin Italian”, ka thënë Guardiola.
Strategu spanjoll beson se skuadra e tij aventurën e re në elitën e futbollit evropian, do ta nis me fitore.
“Duhet të fitojmë ndeshjen e parë dhe më pas ato në vijim. Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Duhet ta fillojmë mirë në shtëpi, do të përpiqemi ta nisim mbarë edicionin e ri”, ka theksuar Guardiola.
Ndeshja City-Inter fillon në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.