Guardiola: Arsenali na dha një shtysë

Guardiola: Arsenali na dha një shtysë

Manchester City i Pep Guardiolas është një nga skuadrat më të mira në historinë e futbollit anglez.

Në fakt, me fitoren kundër West Hamit, Qytetarët fituan Premier League për të katërtën herë radhazi, një sukses unik në historinë angleze. Këto janë fjalët e teknikut: “Kur mbërrita këtu, nëse dikush do të më thoshte se do të fitoja gjashtë kampionate në shtatë vjet, nuk do ta besoja. Do t’i kisha quajtur të çmendur. Me Manchester United, Liverpool, Chelsea, me të gjitha këto ekipe. Ne ishim pa Haaland për disa muaj dhe Álvarez bëri një punë të jashtëzakonshme. Foden është një talent i madh. Në momentin e rëndësishëm ishte vendimtar. Ne kemi lojtarë fantastikë, por me Foden kemi një avantazh”.

Këtë vit ju luftuat me Arsenalin deri në fund…

“Arsenali na shtyu në një nivel tjetër. Liverpooli e kishte bërë në të kaluarën, por në dy sezonet e fundit ishte radha e Arsenalit. Ky kampionat ka qenë i jashtëzakonshëm. Mesazhi është se ata do të na bëjnë sfidë për disa vite. Ata kanë një trajner të ri dhe shumë të talentuar, na paralajmëruan se duhet të jemi të kujdesshëm në vitet e ardhshme”.

Cili është sekreti i suksesit tuaj?

“Nuk e di. Shumë punë, duhet të jesh i përulur. Nuk po them se jam një menaxher i keq, por kam mbështetje të jashtëzakonshme nga klubi. Ne kemi një etikë të madhe pune, të gjithë kontribuojnë me punën e tyre. Çdo departament në klub është shumë i rëndësishëm. Kjo është e vërteta dhe realiteti”.

Skuadra juaj ka vazhduar të evoluojë dhe të fitojë tituj, si e bëni këtë?

“Nuk ka shumë evolucion. Drejtori sportiv më jep këta lojtarë dhe unë duhet të gjej pozicionin më të mirë për ta. Ne nuk mund të luajmë me një nëntë false me Haaland, për shembull, duhet të përshtatemi me karakteristikat e lojtarit. Nuk është se kam një ide dhe të gjithë duhet ta ndjekin atë, përshtatemi me lojtarët”.

Kur keni filluar të mendoni se mund të fitoni kampionatin tuaj të katërt radhazi?

“Në fillim të sezonit, jo, por midis janarit dhe shkurtit mendova se askush nuk ia kishte dalë ende. Pse jo në fillim? Nuk është mirë të mendosh se çfarë mund të fitosh në nëntor ose dhjetor”.

Ju ka mbetur edhe një vit nga kontrata, do ta rinovoni vitin e ardhshëm?

“Realiteti është se jam më afër largimit… Kam folur me klubin dhe kam thënë që për momentin dua të qëndroj. Do të jem këtu sezonin e ardhshëm, pastaj do të flasim për këtë, por unë jam këtu për tetë apo nëntë vjet… Do të shohim”. /rtsh/

Share This