Gripshi pas fitores ndaj Dinamos: Jemi shumë të fortë në “Fadil Vokrri”
Nazmi Gripshi foli për SuperSport pas fitores 2-0 të Ballkanit ndaj Dinamos së Zagrebit.
Kampionët e Kosovës siguruan tri pikët e para në grupin C të Conference League. 26-vjeçari nga Durrësi analizoi suksesin ndaj kroatëve, ku ndër të tjera tha:
“Almiri (Kryeziu) ka bërë një gol mjaft të mirë. Gjithë ekipi ishte në një moment shumë të mirë. Shfrytëzuam rastin, si në pjesën e parë dhe të dytën jemi kujdesur, dhe kemi marrë një fitore shumë të madhe këtu në ‘Fadil Vokrri’.
A besonim te fitorja? Dinamo është skuadra më e madhe kroate, por ne kemi besimin shumë të madh në ekip, sidomos në ‘Fadil Vokrri’. Nuk kemi asnjë disfatë në këtë stadium. Jemi shumë të fortë këtu në Prishtinë. Duhet të jemi pak më të kujdesshëm edhe jashtë, që të bëjmë më shumë.
Trysnia e kundërshtarit në fushën e vet bën që ne të jemi më të kujdesshëm, kurse këtu është më ndryshe. Me praninë e tifozëve, që i përshëndes që e kishin mbushur stadiumin plot, ata na dhanë një motiv. Besoj se kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, shihet edhe te rezultati.
Gjendja në grup? Do i shikojmë ndeshjet një nga një. Do përgatitemi për ndeshjen e së dielës në kampionat, më pas do të përgatitemi për Astanën. Të shohim në fund sa pikë kemi mbledhur”, përfundoi Gripshi.