
Grenell për Kurtin: Nuk është i besueshëm, mos u mashtroni
I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, për misione të veçanta, Richard Grenell tha se “retorika e Kurtit [kryeministrit të Kosovës] duke pretenduar se është afër SHBA-së, është plotësisht e rreme”.
“Mos u mashtroni”, shkroi Grenell në X – që më parë njihej si Twitter.
“Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së që është ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika që përdor Kurti tani, duke pretenduar se është afër SHBA-së dhe më i mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është plotësisht e rreme. Mos u mashtroni”, shkroi ai.
Grenell, ndër të tjera, tha se administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen për të gjithë në Ballkan.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në disa raste, ka deklaruar se marrëdhëniet me SHBA-në “janë të forta”.
Për këto raporte, Kurti ka folur edhe në tubimin elektoral në Ferizaj, më 2 shkurt.
“Bashkëpunimi Kosovë-Amerikë me neve nuk ka qenë vetëm me State Departamentin diplomatik, por edhe me Departamentin e mbrojtjes dhe në bashkëpunim zhvillimor e energjetik. Grantin më të madh prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka marrë nga qeveria jonë”, ka thënë Kurti.
“Kurrë nuk i kanë pasur qeveritë e Kosovës së çliruar marrëdhëniet më të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës se sa qeveria jonë, dhe kurrë shteti i Kosovës nuk ka përfituar nga bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sikurse që ka përfituar gjatë qeverisë tonë në këtë mandat katër-vjeçar. E ish-pushtetarët, qeveritë e mëhershme, raportet me SHBA-të dhe perëndimin i përdornin për pushtet, për karriget e tyre, për me u ngjit pak më lartë e për me qëndru pak më gjatë, ne i përdorim për shtet e jo për pushtet, për me ngjit shtetin lart e më lart”, ka thënë ai. /KosovaPress/