
Grenell ofendohet rëndë nga serbët pasi uroi Pavarësinë e Kosovës dhe e quajti Thaçin “atë themeltar”
Pasi uroi ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke shprehur shqetësim për “padrejtësinë e madhe” që Hashim Thaçi, ish-Presidenti i vendit, mbetet në paraburgim në pamundësi për të festuar, llogaria në rrjetin social “X” e emisarit të Posaçëm për Misione të Posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, u përball me një valë komentesh negative.
Shumë prej tyre – kryesisht serbë – përdorën gjuhë të ashpër dhe ofendime të rënda në përgjigje të postimit të ish-emisarit për Ballkanin.
Në urimin e tij, Grenell tha se po i bëhet padrejtësi “Atit themelues të shtetësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi.”
Ai shtoi se Thaçi “do të duhej të ishte në Prishtinë duke festuar, e jo prapa grilave në Hagë.”
“Uroj të gjithë miqtë e mi në #Kosovë një festë të gëzueshme dhe të sigurt në 17-vjetorin e pavarësisë së tyre.
Megjithatë, ky përvjetor është i errësuar nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, duhet ta festonte sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë.
Evropianët kanë dështuar të veprojnë kundër kësaj padrejtësie për 5 vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës.
Kjo burgosje e padrejtë duhet të marrë fund.” – tha Grenell.
Postimi i Grenell nuk u prit mirë nga ndjekësit e tij serbë, të cilët nisën një fushatë komentesh të ashpra, ku disa përdorën gjuhë urrejtjeje dhe fyerje të rënda ndaj diplomatit amerikan.
Në mesazhet e tyre, disa prej tyre kanë shkruar: “Shkoni në ferr me gjithë administratën amerikane”, “Largohu, pe*er”, “Kosova është Serbi”…
Vlen të theksohet se ish-emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor nuk e uroi Serbinë për Ditën e Shtetësisë, e cila festohet më 15 shkurt.