Goli më i bukur i Marsit, tifozët zikaltër “të dashuruar” me Asllanin
Kristian Asllani shënoi golin e parë me fanellën e Interit ndaj Genoas në fillimin e muajit mars.
Mesfushori kuqezi arriti që të shënojë golin e parë të ndeshjes duke i hapur suksesit 2-1.
Një gol që Asllani do ta mbajë mend gjatë, pasi jo vetëm ishte i pari me fanellën zikaltër, por në anët tjetër është përzgjedhur dhe si goli më i bukur i marsit nga tifozët e Interit.
Klubi ka publikuar rezultatet e votimeve për golin më të bukur të marsit dhe realizimi i 22-vjeçarit nga Elbasani është renditur në vendin e parë.
Në garë me mesfushorin e Kombëtares së Shqipërisë ishte dhe Dimarco me golin ndaj Atletico Madrid dhe Bisseck me golin ndaj Bolognas.
Një motiv më shumë për Asllanin, që në vijim të provojë akoma dhe më tepër me goditjet drejt portës. Mesfushori këtë edicion ka luajtur në 26 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Interin, por vetëm 6 prej tyre i ka nisur si titullar.
Asllani kërkon sa më shumë minuta deri në fundin e sezonit, në mënyrë që të jetë gati për Kampionatin Europian që do të luhet këtë verë në Gjermani, e Shqipëria do të përballet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.