Golashënuesi më i mirë i historisë e Brazilit, Neymar parakalon Pelenë
Brazili arriti që të fitonte në ndeshjen e parë të kualifikueseve për kampionatin botëror 5-1 ndaj Bolivisë.
Por më shumë se fitorja vëmendjen e mori Neymar, i cili shënoi 2 gola e dha një asist në këtë takim.
Ylli i Al Hilal u rikthye në fushë pas një mungese të gjatë dhe arriti që të bëhej protagonist.
Me golat e shënuar ndaj Bolivisë, Neymar bëhet shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me fanellën e Brazilit, duke lënë pas legjendën Pele. Me dygolëshin e shënuar në mëngjesin e së shtunës, 31-vjeçari shkon në kuotën e 79 golave, dy më shumë se legjenda e Brazilit.
Një rekord shumë i veçantë për Neymar që kalon një nga emrat më të mirë të historisë së futbollit, ndërkohë që ka mundësinë për ta thelluar akoma dhe më shumë këtë rekord.
Ndaj Bolivisë spikati dhe ylli i Real Madrid, Rodrygo i cili shënoi dhe 2 gola, ndërkohë që rrugën e rrjetës e gjeti edhe Raphinha.