Gliha: Kosova nuk është Brazil, lojtarët duhet të vdesin në fushë
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Primoz Gliha, në konferencën për medie, ka folur edhe për periudhën kur kishte drejtuar Kombëtaren tonë në dy ndeshje.
Ai thotë se tek Kosova problemi është durimi, sepse sipas tij, skuadra jonë dëshiron ta fitojë ndeshjen qysh në minutën e pestë.
Gliha thekson se Kosova nuk është Brazil, por sipas tij, lojtarët duhet të vdesin në fushë.
“Kam drejtuar Kosovën edhe në nëntor, ku zhvilluam dy ndeshje. Ishim ndaj Greqisë dhe ata shënuan në minutën e 44-të. Dola jashtë të pi një cigare dhe pastaj hyra në dhomën e zhveshjes dhe thashë ‘tani do t’i shkatërrojmë’… Pas kësaj, arritëm një barazim dhe Zhegrova kishte një mundësi për ta fituar lojën. Problemi te Kosova mbetet durimi. Dëshironi që ta fitoni lojën qysh në minutën e pestë, nëse shkon minuta e 60-të atëherë lojtarët, shikuesit, gazetarët të gjithë janë të stresuar. Kjo duhet të ndryshohet. Ne nuk jemi Brazili, më rëndësi është që të vdesim në fushë. Nëse mendoni që jemi Brazili, atëherë më vjen keq”, ka pohuar Gliha.