Gliha: Dinamo është Dinamo, por me Ballkanin s’do ta ketë lehtë
Dinamo e Zagrebit luan më 5 tetor ndaj Ballkanit në Prishtinë, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Konferencës.
Për këtë ndeshje selektori i përfaqësuesës së Kosovës, Primozh Gliha tha se Dinamo është klub i madh, por Ballkani luan mirë në Prishtinë.
“Dinamo është gjithnjë Dinamo. Ndaj saj asnjëherë nuk ka ndeshje të lehtë. Ballkani në Prishtinë po luan shumë mirë, me guxim, lojë kolektive. E ka mposhtur kampionin e Bullgarisë 2:0, ishte superior. Ballkani ka dy-tre lojtarë shumë të mirë që janë kandidatë për reprezentacionin tonë. Për këtë Dinamo duhet të ketë kujdes dhe të jetë maksimalisht e koncentruar”, ka thënë selektori i Kosovës, Primozh Gliha.
Ai ka përmendur telashet e ekipeve kosovare.
“Të gjitha ekipet kosovare kanë lojtarë të mirë në aspektin teknik. Problemi i të gjitha klubeve, si i reprezentacionit është ai që ia kam thënë edhe presidentit të federatës – kosovarët për ne sllovenët në sulm janë brazilianë, por ne sllovenët për kosovarët jemi gjermanë në mbrojtje. Problemi më i madh i tyre është mbrojtja. Pa mbrojtje, pa karakter të fuqishëm në vijën e fundit, nuk mund të bëni shumë”, thotë Gliha.
Slloveni ka folur edhe për ambiciet e Ballkanit në grup.
“Në njërën anë është ekip shumë ambicioz e në anën tjetër shumë real. Kur kemi luajtur me Rumaninë kam thënë se tradita është dallimi më i madh mes nesh. Në futboll kjo është shumë e rëndësishme. Kur ke përvojë, të mirë e të keqe, mëson prej saj. Janë të rinj (lojtarët e Ballkanit) dhe po të kishin përvojë e traditë, me kualitetin që kanë do të mund të bënin shumë më tepër”, thotë Gliha.