Gjykata anulon dënimin me vdekje për një kritik të qeverisë
Një gjykatë saudite ka rrëzuar dënimin me vdekje të dhënë në korrik 2023 kundër një mësuesi në pension që kritikoi qeverinë në internet, njoftoi vëllai i tij.
Vendimi kundër Mohammed al-Ghamdi, i dhënë nga Gjykata e Specializuar Penale në korrik 2023, ishte parë si një shenjë e një shtrëngimi të represionit nën princin e kurorës Mohammed bin Salman, sundimtarin de fakto të mbretërisë së Gjirit.
Princi Mohammed e trajtoi këtë vendim në një intervistë me ”Fox News” në shtator 2023, duke thënë se qeveria kishte “turp” për rastin dhe duke shprehur shpresën se rezultati i tij do të ndryshonte.
”Gjykata e apelit përmbysi vendimin kundër vëllait tim Mohammed këtë javë”, tha Saeed al-Ghamdi, një studiues islamik dhe kritik i qeverisë që jeton në mërgim në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ai e njoftoi familjen e tij (në Arabinë Saudite) dhe ata na njoftuan ne. Ai nuk është ridënuar për asgjë”, shtoi ai.
Mohammed al-Ghamdi, një mësues në pension në të 50-at, u arrestua në qershor 2022.
Saeed al-Ghamdi më parë tha se çështja kundër tij bazohej, të paktën pjesërisht, në mesazhet që kritikonin qeverinë dhe shprehnin mbështetje për “të burgosurit e ndërgjegjes”, siç janë klerikët e burgosur Salman al-Awda dhe Awad al-Qarni.
”Llogaria e Mohammed al-Ghamdi në X u ndoq nga vetëm nëntë persona”, tha Qendra e Gjirit për të Drejtat e Njeriut kur problemet e tij ligjore dolën në dritë vitin e kaluar.
”Ai po ndiqej penalisht për komplot kundër liderëve sauditë, minim të institucioneve shtetërore dhe mbështetje të ideologjisë terroriste”, thanë burimet e informuara për rastin në atë kohë.
Në raste të tjera të ngjashme, apeli rezultoi me dënime më të ashpra, përfshirë për dy gra saudite që u dënuan me disa dekada burg në vitin 2022.
”Human Rights Watch” dhe Saeed al-Ghamdi raportuan muajin e kaluar se një vëlla tjetër, Asaad al-Ghamdi, 47 vjeç, u dënua me 20 vjet burg për postimin e mesazheve kritike në mediat sociale.
Ishte e paqartë të enjten nëse gjyqtarët do të shqyrtonin gjithashtu dënimin e Asaad al-Ghamdi.
Nën udhëheqjen e princit Mohammed, Arabia Saudite ka zbatuar një program ambicioz reformash, të quajtur “Vizioni 2030”, që synon të transformojë mbretërinë e dikur mbyllur në një destinacion global për turizmin dhe biznesin. /atsh/