Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të preket, është gur themeli
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese apo e partive politike, por një element themelor i shtetit që duhet ruajtur dhe respektuar.
Këto komente ai i bëri gjatë një mbrëmjeje të organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”, duke i dhënë rëndësi historike dhe kulturore rolit të gjuhës shqipe në bashkëjetesën mes popujve të Maqedonisë së Veriut.
“Çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese, e ligjeve apo e vullneteve të përkohshme të partive politike. Gjuha shqipe është çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme për ta mbajtur bashkë Maqedoninë e Veriut, duke ushqyer frymën e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve si popuj shtetformues”, tha Rama.